Depërtimi i spahinjve nëpër zonat autonome malësore, përhapja e sundimit osman, rritja e detyrimeve ndaj fshatarësisë shqiptare, shkaktuan një qëndresë më të fuqishme të malësorëve, gjallëruan lëvizjen e pjesës tjetër të fshatarësisë shqiptare, si dhe përpjekjet e krerëve shqiptarë laikë e fetarë për t’i shndërruar kryengritjet e veçanta të armatosura dhe pakënaqësinë e shqiptarëve në një lëvizje të përgjithshme për çlirim, me një organizim më të lartë e më të gjerë se deri atëherë.
Përvoja luftarake e dështimi i kryengritjeve të shek. XVI u tregoi kryengritësve malësorë se mbrojtja e vetëqeverisjes dhe lufta për çlirim nga zgjedha osmane mund të arriheshin duke bashkuar forcat e tyre me ato të krahinave të tjera, dhe me forma organizative më të përshtatshme. Një formë e tillë u bë në kuvendet shqiptare, që ishin një institucion i ri politik me karakter ndërkrahinor, një bashkim forcash më i lartë e më i gjerë, i cili u arrit mbi bazën e kuvendeve krahinore ekzistuese. Në kuvendin shqiptar, përveç krerëve të krahinave të vetëqeverisura malore, morën pjesë përfaqësuesit e krahinave të tjera. Me këto kuvende u bashkuan edhe një varg prelatësh katolikë e ortodoksë, interesat e të cilëve, sikurse ato të fshatarësisë, nuk pajtoheshin me sunduesit osmanë.
Kalimi në këtë formë të re organizative prapa së cilës qëndronte fshatarësia dhe krerët e saj laikë e klerikë, e ngriti luftën në një shkallë më të lartë, më të gjerë e më të ashpër, e futi atë në një fazë të re. Malësitë shqiptare, të favorizuara edhe nga terreni malor, u bënë tani qendrat e shtabeve drejtuese dhe vatrat kryesore nga shpërthyen dhe u përhapën në pjesën tjetër të vendit lëvizje kryengritëse të papara deri atëherë për gjerësinë e forcën e tyre.
Përvoja e luftës i mësoi krerët shqiptarë të përqafonin një formë të re lufte për t’i bërë ballë më me sukses fuqisë së madhe të pushtuesve: të bashkonin e të drejtonin nëpërmjet kuvendeve shqiptare të gjitha vatrat e qëndresës shqiptare, dhe të bashkërendonin luftën e tyre për liri me atë të popujve të shtypur të Gadishullit Ballkanik e me luftën e shteteve evropiane për dëbimin e osmanëve nga Evropa.
Në kuvendet shqiptare u hartuan një sërë projektesh. Ato iu drejtuan shteteve evropiane për çlirimin e të gjitha tokave shqiptare. Në promemorjet tregohej gatishmëria e shqiptarëve për luftë, sasia e luftëtarëve, strategjia dhe taktika që do të ndiqej për çlirimin e vendit, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin e kryengritësve me rojtarët e kështjellave, të cilët kishin prejardhje shqiptare. Aty bëheshin përpjekje për t’i bindur qeveritë e shteteve evropiane të ndërmerrnin një aksion kundër Perandorisë Osmane, i cili do të bashkërendohej me veprimet luftarake të kryengritësve shqiptarë dhe ballkanikë. Njëkohësisht kuvendet kërkonin prej tyre edhe armë zjarri, meqenëse me shpatat, heshtat e shigjetat, kryengritësit shqiptarë gjendeshin në kushte inferiore në krahasim me forcat osmane.
Kuvendi i Matit 1590
Në periudhën midis viteve 1590-1620 u organizuan një varg kuvendesh të tilla. Qendra ku u zhvilluan këto kuvende u bë krahina e Matit. Lufta e kryengritësve të krahinave të veriut e arriti kulmin e vet në vitet 1590-1595, kur 10 000 kryengritës të krahinave malore të sanxhakëve të Ohrit e të Dukagjinit i dëbuan autoritetet e pushtetit osman nga malësitë dhe i shtrinë sulmet në krahinat fqinje. Kryengritja ushtroi një ndikim të madh brenda dhe jashtë kufijve të tokave shqiptare, e në mënyrë të veçantë ajo gjallëroi luftën çlirimtare të popullsisë maqedone.
Kuvendi i Shën Mërisë 1594
Në flakën e këtyre kryengritjeve, më 7 nëntor të vitit 1594, u mblodh në manastirin e Shën Mërisë në Mat një kuvend i përgjithshëm i krerëve shqiptarë për të hartuar projektin e kryengritjes dhe të çlirimit të krejt vendit. Krerëve shqiptarë, Tom Plezhja e Mark Gjini, të cilët mbanin edhe titullin e kalorësit, si dhe ipeshkvit Nikollë Mekajshi, iu ngarkua detyra të hynin në bisedime me papën për zbatimin e projektit të kryengritjes. Fshehtaz Republikës së Venedikut, që nuk donte të prishte paqen me Stambollin, projekti iu paraqit delegatit të papës në shkurt të vitit 1595. Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Romë për të siguruar armë nuk dhanë asnjë fryt. Papa i këshilloi shqiptarët që të prisnin mbasi nuk kishte ardhur koha e duhur. Nga ana tjetër, Venediku, mundi t’i përçajë radhët e pjesëmarrësve të kuvendit duke shfrytëzuar ndikimin e vet mbi disa krerë. Në qershor të vitit 1595 kur në Shqipëri u mor vesh formimi i koalicionit evropian kundër shtetit osman, krerët shqiptarë njoftuan papën se shqiptarët katolikë e ortodoksë ishin gati të fillonin kryengritjen sapo të niste lufta.
Në të njëjtën kohë edhe në krahinat e Shqipërisë Jugore u bënë përpjekje për të siguruar armë e mjete për kryengritjen nga shtetet evropiane. Më 1595, patriku i Ohrit, pasi u kthye nga Moska, shkoi në Butrint dhe, me anën e qeveritarit të Korfuzit, i kërkoi senatit venedikas ndihmë për kryengritjen. Por senati e hodhi poshtë kërkesën e tij.
Armë iu kërkuan edhe Papatit e Spanjës (1596), por Papa nuk dërgoi asnjë ndihmë, duke paraqitur si pretekst shpenzimet e mëdha që bënte në Hungari për luftën e këtij vendi me Perandorinë Osmane. Oborri i Spanjës premtoi dhe nisi një kontingjent të vogël ushtarësh. Gati 10 000 kryengritës të armatosur me jataganë e shigjeta e të nisur nga krahinat rreth e qark Vlorës, e sulmuan ushtrinë osmane në qytet me shpresë se në portin e Vlorës do të vinin ndihmat spanjolle. Por kjo ndërmarrje shkoi kot, se edhe ato armë që ishin nisur u sekuestruan në det prej venedikasve.
Kuvendi Blinisht 1598
Ky qëndrim i shteteve evropiane dhe i Vatikanit, i dëmtoi kryengritjet në Shqipëri, por nuk mundi t’i ndalte përpjekjet për përhapjen e tyre në shumicën e krahinave. Më 1598 u organizua Kuvendi i dytë ndërkrahinor në Blinisht të Zadrimës. Ai iu drejtua për ndihmë perandorit austriak. Venediku kapi përfaqësuesit e kuvendit dhe sabotoi aleancën. Megjithatë ideja e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme u përhap në krejt tokat shqiptare. Një rol për përhapjen e saj luajtën klerikët e prelatët.
Kuvendi Dukagjin-fshat 1601-02
Me krerët e prelatët e krahinave të Mbishkodrës dhe të Dukagjinit u bashkuan edhe shumë krerë të krahinave të tjera veriore, të mesme dhe jugore. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre në vitin 1601 u mbajt një kuvend i madh pranë kishës së Shën Lleshdrit (Aleksandrit) në fshatin Dukagjin. Në punimet e tij, që vazhduan edhe më 1602, morën pjesë 2 656 delegatë laikë e fetarë të ardhur nga 14 krahina të Shqipërisë (nga Malësia e Shkodrës, Zadrima, Dukagjini, Kosova, Lezha, Kurbini, Mati, Dibra, Petrela, Durrësi, Elbasani, Shpati e nga Myzeqeja). Kuvendi u drejtua nga Nikollë Mekajshi, Nikollë Bardhi dhe Gjin Gjergji. Ai mori vendimin ta fillonte luftën për çlirimin e vendit. Këtë vendim historik e nënshkruan 52 krerë kryesorë, 4 nga secila krahinë. Por mbeti si problem sigurimi i aleatëve dhe i armëve.
Për të larguar dyshimet e Venedikut dhe për ta tërhequr atë në anën e vet, kuvendi vendosi këtë radhë t’i drejtohej më parë Republikës së Shën Markut për t’i kërkuar ndihmë dhe armë. Për këtë qëllim dy përfaqësues, Nikollë Bardhi dhe Pal Dukagjini u dërguan në Venedik. Por edhe këtë herë senati i përcolli përfaqësuesit shqiptarë me porosinë e zakonshme për të pritur pasi “nuk kishte ardhur koha për luftë kundër turqve”.
Kuvendi vendosi që t’i niste përsëri dy përfaqësuesit e vet në Venedik për t’i deklaruar senatit se po të mos e ndihmonte lëvizjen e armatosur, të 40 mijë kryengritësit shqiptarë do të ishin të shtrënguar t’i drejtoheshin mbretërisë tjetër evropiane, duke pasur parasysh Spanjën, rivalen e Venedikut. As këto kërcënime nuk e bindën Republikën, e cila më shumë se kurdoherë donte të ruante paqen me osmanët, për arsye se në këtë kohë midis Stambollit dhe Vjenës kishin filluar bisedime për paqe. Edhe këtë herë Republika veproi aty për aty për të mbjellë farën e përçarjes në radhët e udhëheqësve të kuvendit me qëllim që të mënjanonte rrezikun e afrimit të shqiptarëve me Spanjën. Ajo mundi të korruptonte me ar dhe të bënte për vete Nikollë Bardhin e Pal Dukagjinin, si dhe disa krerë të tjerë.
Kështu përpjekjet për të siguruar një aleat të jashtëm aktiv si dhe armë, nuk dhanë asnjë fryt. Situata politike ndërkombëtare nuk ishte e pjekur për veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane, sepse, të nisura nga interesat e tyre për të ruajtur paqen me Stambollin, shtetet kryesore evropiane nuk u dhanë shqiptarëve ndihmën e kërkuar.
Kuvendi i Kuçit 1614
Kuvendi i parë u mblodh më 1614 në Kuç, në zemrën e Maleve shqiptare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kryengritësve të Shqipërisë, të Malit të Zi, Bosnjës, Hercegovinës, Serbisë dhe të Maqedonisë. Ai u zhvillua në dy sesione, njëri në korrik e tjetri në shtator. Nga të gjashtë krerët kryesorë ballkanas të këtij kuvendi dy ishin shqiptarë, Gjergj Bardhi i Mirditës dhe Lala Drekali i Kuçit, kurse nga 44 përfaqësuesit ballkanas një e katërta vinin nga vatrat e qëndresës shqiptare.Në sesionin e dytë të kuvendit u hartua plani i operacioneve luftarake. Rëndësi e veçantë për përgatitjen dhe fillimin e veprimeve ushtarake në Gadishullin Ballkanik iu kushtua vatrave malore kryengritëse shqiptare. Në këto vatra do të dërgoheshin për ndihmë nga të gjitha krahinat ballkanike 12 000 luftëtarë, të cilët do të pajiseshin me armë dhe, së bashku me kryengritësit shqiptarë, do të shpërthenin prej andej sulmet kundër garnizoneve osmane. Nga Himara do të kryhej sulmi për çlirimin e Vlorës, nga malësitë e Dukagjinit do të zhvilloheshin operacionet për çlirimin e Krujës, nga Malësia e Madhe do të fillonte sulmi për çlirimin e Shkodrës; po kështu edhe nga Mali i Zi do të sulmohej Kastelnovo në Grykën e Kotorrit. Në themel të këtij plani qëndronte gatishmëria për luftë si dhe përvoja shumëvjeçare e kryengritjeve të deriatëhershme të popujve të Ballkanit, e veçanërisht ajo e shqiptarëve. Në kryengritje do të merrnin pjesë edhe mitropoliti i Durrësit e peshkopët ortodoksë të Janinës e të Artës.
Në këtë sesion u shtrua përsëri si çështje kryesore ajo e sigurimit të armëve. Të dëshpëruar nga dështimet e mëparshme, pjesëmarrësit morën një vendim të ri, që ishte një goditje e rëndë për princat katolikë, të cilët i kishin mbajtur deri tani me fjalë për organizimin e “kryqëzatave” dhe nuk kishin dhënë ndihmë efektive në armë. Kuvendi ngarkoi të dërguarin e vet diplomatik, shqiptarin Gjon Renësi, që të deklaronte në oborret katolike të shteteve italiane se kuvendi nuk do të ngurronte t’u drejtohej për ndihmë shteteve protestante, si Anglisë, Holandës dhe princave të tjerë protestantë të Gjermanisë.
Midis burrave të shtetit të Evropës Perëndimore, që filluan të inkurajonin kryengritësit ballkanas me shpresë se fitorja do t’u jepte atyre mundësi të vinin dorë mbi tokat e çliruara, ishin duka i Parmës në Itali dhe duka i Neverit në Francë, prapa të cilëve qëndronte në fakt Spanja. Duka i Parmës pranoi ta ndihmonte me armë kryengritjen e projektuar dhe nisi një anije të ngarkuar me furnizime për në brigjet shqiptare, por kjo u sekuestrua rrugës nga venedikasit. Atëherë kuvendi vendosi të bashkërendiste kryengritjen me ekspeditën që përgatiste duka i Neverit për të zbarkuar në Gadishullin Ballkanik. Mirëpo edhe përpjekjet e këtij princi frëng dështuan për shkak të kontradiktave politike evropiane.
Kuvendi i Prokuplës 1616
Meqenëse hapat e parë nuk dhanë rezultatet e dëshiruara, pas kuvendit të Kuçit u bënë përpjekje për një kuvend të ri. Më 11 nëntor 1616 në Prokuplje morën pjesë, siç thotë një burim bashkëkohës, “zotnitë kryesorë të mbretërisë së Bosnjës, të Kosovës, të Serbisë, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Arkidukatit të Hercegovinës”. Për shkak të kushteve të reja që ishin krijuar me rritjen e rolit të Austrisë si kundërshtari kryesor i Perandorisë Osmane, këtë herë kuvendi nxori në plan të parë si detyrë për të çliruar së pari Bosnjën, meqenëse kishte mundësi më të mëdha të ndihmohej nga ana e Austrisë. Megjithëkëtë edhe në këtë kuvend u pa i nevojshëm një zbarkim në Shqipëri, sepse kryengritjet shqiptare mbanin vazhdimisht të hapur një plagë në anët më të dobëta të Perandorisë Osmane. Në bregdetin shqiptar, prej nga niseshin rrugët drejt viseve të brendshme të Ballkanit dhe se, – siç thuhej në vendim, – një pjesë e popullit të këtij vendi “nuk i bindet sulltanit dhe jeton i lirë (siç janë – shën. i aut.) zotnitë e Dukagjinit, e Kelmendit, e Piprit, e Palabardhit dhe të Malit të Zi”. Prandaj në çdo plan ushtarak, si më përpara edhe tani, Shqipëria zinte një vend nga më të rëndësishmit. Me të zbarkuar flota evropiane në brigjet shqiptare, 10 000 burra do të bashkoheshin me forcat hercegovinase. Me 40 000 veta nga Dukagjini, Kelmendi, Pipri, Palabardhi e nga Mali i Zi do të merrnin kështjellën e Shkodrës e prej andej do të shkonin drejt Sofjes, ku do të bashkoheshin me forcat e tjera për të parashtruar planin për marrjen e Stambollit. Projekti mbeti përsëri në letër. Duka i Neverit e zgjati shumë përgatitjen e ekspeditës. Në pragun e nisjes flota u dogj. Spanja i druhej luftës me shtetin osman.
Kuvendi i Beogradit 1620
Një dëshmi tjetër e lëvizjes çlirimtare ballkanike u bë kuvendi i Beogradit, që u mblodh më 18 nëntor 1620. Aty u shqyrtuan më me hollësi planet e dy kuvendeve të mëparshme dhe u theksua nevoja e çlirimit të Shkodrës nga kryengritësit e Malësisë së Madhe dhe të malësive të Dukagjinit, si dhe çlirimi i Krujës nga banorët e malësive të Shqipërisë së Mesme.
Nga të 24 krerët e kuvendit të Beogradit, që nënshkruan planin e luftës, më të rëndësishmit ishin Lala Drekali i Kuçit, Gjin Gjergji i Dukagjinit dhe Vuk Gjeçi i Kelmendit, pas të cilëve vinin krerët e tjerë të ardhur në kuvend nga malet shqiptare. Të bashkuar në “Lidhjen e Arbënit”, Dukagjini, Pipri e Kelmendi do të nxirrnin 14 000 luftëtarë. Të gjithë do të grumbulloheshin në Pejë, ku do të krijohej një ushtri prej 50 000 këmbësorëve e 30 000 kalorësve prej forcave të Shqipërisë, Maqedonisë e Serbisë. Edhe këtë herë kuvendi zgjodhi shqiptarin Gjon Renësi si njërin nga të dërguarit e vet për në oborret evropiane. Por, ndihma e kërkuar me armë dhe zbarkimi në brigjet shqiptare nuk u siguruan as këtë herë.
Kuvendi (kishtar) i Arbnit 1703
Mbledhje e ipeshkvinjve të krishtërimit roman në Shqipëri, mbajtur në vitin 1703, me iniciativën e arkipeshkvit të Tivarit, Vinçens Zmajeviç, dhe me kujdestarinë e papa Klementit të 12-të. Mori vendime të rëndësishme historike për jetën e kishës dhe të botës laike shqiptare. Disa prej akteve të këtij kuvendi/koncili u shkruan në gjuhën shqipe. U mbajt në janar, në Mërqi, një fshat i vogël në afërsi të Lezhës.
Kuvendi i Beratit 1828
E njohur edhe si “Besëlidhja e Beratit”.
Gjatë përgatitjeve që Porta e Lartë po bënte për të përballuar presionin e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes greke, sulltani, ashtu si gjithë myslimanëve të perandorisë, edhe myslimanëve shqiptarë u bëri thirrje të rrëmbenin armët për të mbrojtur “fenë e shtetin”.
Mehmet Reshid pasha urdhëroi krerët feudalë të Shqipërisë Jugore të paraqiteshin në Janinë bashkë me luftëtarët e tyre. Këtij urdhri nuk iu bind së pari Iljaz Poda, megjithëse veziri anadollak i kishte dërguar njoftime se e kishte falur për qëndrimet e kaluara. Për ta bindur Iljaz Podën, ndërhyri edhe Porta e Lartë, e cila, në të njëjtën kohë, e kërcënoi se do ta ndëshkonte po të mos bindej. Iljazi nuk iu bind as Portës dhe, bashkë me krerët e tjerë që ndoqën shembullin e tij, filloi punën për t’i dëbuar Mehmet Reshid pashën dhe funksionarët e tjerë nga Shqipëria Jugore.
Ndërkohë kryengritja greke, që ishte çoroditur nga goditjet e forta të ushtrive osmane-egjiptiane, me përkrahjen e Fuqive të Mëdha filloi të ringjallej. Meqë në këtë kohë dhe ushtritë e Portës ishin larguar nga Moreja, ndërsa forcat e tjera osmane duke përfshirë edhe ato të Omer pashë Vrionit e të Ismail pashë Plasës ishin përqendruar në luftën me rusët, Stambolli urdhëroi Valiun e Rumelisë të organizonte një ekspeditë të re kundër grekëve. Por edhe kjo ekspeditë mund të ndërmerrej vetëm me ndihmën e feudalëve shqiptarë.
Feudalët shqiptarë, jo vetëm pse ushqenin simpati për çështjen greke, por edhe sepse ishin të bindur se ajo do të triumfonte, dhe pse e quanin me rrezik për interesat e tyre dhe për vendin, pjesëmarrjen në ekspeditë, nuk pranuan të angazhohen në luftën kundër Greqisë. Ata e shihnin këtë veprim si një nga rrugët për të dëbuar Mehmet Pashën dhe funksionarët e tjerë osmanë nga Shqipëria Jugore. Iljaz Poda, Ismail bej Vlora dhe Shahin bej Delvina, vendosën që për këtë çështje të thirrej një kuvend i gjerë i përfaqësuesve të krerëve shqiptarë. Ndërkaq, para se të mblidhej kuvendi, ata hynë në bisedime me qeverinë greke për të përcaktuar qëndrimin që do të mbanin të dyja palët në konfliktin që kishte shpërthyer. Gjatë bisedimeve të dyja palët u zotuan të mos sulmonin trojet e njëri-tjetrit.
Pas kësaj marrëveshjeje, në javën e parë të muajit nëntor 1828, u mblodh në Berat kuvendi i krerëve shqiptarë. Kuvendi i zhvilloi punimet e veta në mbledhje të fshehta, që zgjatën nga 6 deri më 8 të atij muaji dhe u mbajtën nën kryesinë e Ismail bej Vlorës, Iljaz Podës dhe Shahin bej Delvinës. Në kuvend u diskutua kryesisht për çështjen e qeverisjes dhe u theksua se funksionarët osmanë kishin përqendruar në duart e tyre të gjitha privilegjet, duke dëbuar vendasit. Prandaj u vendos që të thyhej autoriteti i vezirit nga Kytahijaja e Anadollit, ta largonin atë nga qeverisja e Shqipërisë dhe nëse ai do të zëvendësohej me të tjerë, edhe këta të dëboheshin duke u krijuar pengesa, derisa pushteti i vendit të përqendrohej në dorën e shqiptarëve. Mendohej që ky synim të arrihej para se Stambolli të zgjidhte mosmarrëveshjet e veta me Fuqitë e Mëdha, sepse kur Mehmet Reshid pashës t’i liroheshin duart, u tha në kuvend, ai do të hakmerrej ashpërsisht ndaj tyre dhe do ta nënshtronte vendin duke përdorur shqiptarët kundër shqiptarëve.
Më 9 nëntor, të dërguar nga Mehmet Reshid pasha, mbërritën në Berat, Sulejman bej Konica dhe Tahir aga Abazi, që kërkuan përgjigjen e shqiptarëve ndaj thirrjes së vezirit. Krerët e kuvendit i kthyen prapa duke u kumtuar se përgjigjen do t’ia jepnin vezirit me gojë në Zicë, ku do të paraqiteshin me forcat e tyre. Ata mendonin t’i njoftonin Mehmet Reshid pashës se pranonin të merrnin përsipër mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Jugore me forcat e tyre, por me kusht që, përveç sigurimit të ushqimit dhe municioneve, t’i jepej sanxhaku i Vlorës për qeverisje Ismail bej Vlorës, sanxhaku i Delvinës Shahin bej Delvinës dhe derbendët e sanxhaku i Tërhallës, Iljaz bej Podës. Ndërsa për trupat që do të nevojiteshin për t’u përdorur jashtë kufijve të Shqipërisë Jugore, kundër trupave franceze ose greke, kërkonin sigurimin e pagave të ushtarëve. Kërkesat e krerëve të kuvendit synonin në të vërtetë dëbimin e Mehmet Reshid pashës dhe të funksionarëve osmanë nga Shqipëria Jugore.
Mehmet Reshid pasha, që u informua mbi vendimet e kuvendit nga një agjent i tij i fshehur në radhët e pjesëmarrësve të kuvendit, nuk u paraqit në Zicë, por dërgoi tre përfaqësues të tij. Krerët e kuvendit të Beratit e kuptuan këtë shmangie të vezirit, ndaj u larguan dhe nuk morën pjesë në ekspeditë, që nuk u arrit të ndërmerrej. Sipas shembullit të tyre edhe feudalët çamë, që kishin pranuar në një farë mënyre të shkonin nën urdhrat e Mehmet Reshid pashës, jo vetëm hoqën dorë, por dëbuan forcat dhe përfaqësuesit e tij nga Paramithia. Ky veprim shënoi fillimin e lëvizjes feudale shqiptare për vetëqeverisjen e vendit si në kohën e Ali pashë Tepelenës.
I demoralizuar nga dështimi që pësoi dhe i shqetësuar se mos dëbohej me forcë, Mehmet Reshid pasha edhe këtë herë kërkoi të hiqej nga postet që mbante. Mirëpo Porta e Lartë nuk e pranoi këtë kërkesë dhe, meqenëse feudalët shqiptarë u mjaftuan vetëm me këto akte dhe nuk ndërmorën veprime për të pastruar sanxhakun e tyre nga funksionarët osmanë, Stambolli hartoi një plan tjetër, për të vrarë krerët kryesorë shqiptarë – Ismail bej Vlorën dhe Iljaz Podën, dhe të shpërndante kështu besëlidhjen e Beratit, ta shtypte atë ose ta detyronte t’u bindej urdhrave të pushtetit qendror. Për t’ia arritur këtij qëllimi, u përhap fjala se Mehmet Reshid pasha do të hiqej nga detyra e vet për shkak se u tregua i pazoti për ta bërë Besëlidhjen Shqiptare një mbështetje të perandorisë në periudhën e krizës së asaj kohe. Njëkohësisht iu dërguan Ismail bej Vlorës fermani i emërimit të tij si qeveritar i sanxhakut të Vlorës me gradën pashë me dy tuja dhe Iljaz bej Podës, fermani i emërimit të tij si komandant i përkohshëm i Janinës derisa të mbërrinte aty Ismail bej Tepelena.
Ismail bej Vlora ra në kurthin e kurdisur dhe shkoi në Janinë, ku më 5 janar 1829, kur po ngjiste shkallët e sarajit, u vra nga njerëzit e Mehmet Reshid pashës. Ndërsa Iljaz Poda shpëtoi, sepse nuk shkoi në Janinë. Por vrasja e Ismail bej Vlorës nuk i vërtetoi shpresat e Portës së Lartë për të nënshtruar shqiptarët. Përkundrazi, lëvizja mori karakterin e një revolte të vërtetë, që u shoqërua me dëbimin e funksionarëve osmanë dhe me vendosjen e pushtetit të parisë shqiptare në krahinat përreth Janinës, në Zagori, Konicë, Mecovë. Qëllimi ishte që Mehmet Reshid pasha të largohej. Ky i fundit, pasi i kumtoi Portës se për të nënshtruar shqiptarët duheshin përdorur forca të mëdha ushtarake, u përgatit të largohej nga Shqipëria. Ndërkohë, sulltani e ngarkoi me detyrën e Vezirit të Madh dhe të kryekomandantit të ushtrisë në luftën kundër Rusisë. Ky vendim u shpall në Janinë më 6 shkurt 1829.