Kënga e Hajredin Pashës

Kënga e Hajredin Pashës është një dokument i gjallë i historisë së kohës që pasqyron. Ajo flet për kohën e Kryengritjes së Dervish Carës me 1844 në Shqipërinë verilindore. Fushata e Hajredin Pashës për shtypjen e kësaj kryengritje arriti në fundvit 1844 në Dibër, ku ushtría e tí u thye e u zmbraps. Teksti i këngës sot ka disa versjone të ndryshëm por të ngjashëm për shkak se është trashëgimí gojore shumëvjeçare. Kënga ka të paktën 170 vjet që këndohet në viset e Shqipërisë verilindore.

He-heej
Hajredin Pasha o po i vjen o Radikës
Vallë-o ku janë-o kto malet e Dibrës?
Vallë-o ku janë-o kto malet e Dibrës?

He-heej
Vallë-o ku janë-o mor kto malet e Dibrës?
Majnë-o kuven' o mor n'at fushë-o t'Gjoricës
O majnë-o kuven' o mor n'at fushë-o t'Gjoricës

N'fushë t'Gjoricës o more ke kalaja
Hajredin Pashën e ka gjet belaja
Hajredin Pashën e ka gjet belaja

Se belaja Pashën q'e ka gjet-e
Malet e Dibrës more kanë lidhë besë-e
Malet e Dibrës more kanë lidhë besë-e

He-heej
Kanë lidhë besë-o mor kanë lidhë-o te tanë-e
Turkut Dibrën o mos me ia lanë-e
Turkut Dibrën o mos me ia lanë-e

He-heej
Hajredin Pasha o mor kry hutaq-e
S'lidhet Dibra more me kërbaçe-e
S'lidhet Dibra more me kërbaçe

Hajredin Pasha ku e ke o ushtrinë?
Malet e Dibrës o mor m'i kanë ngrijë-je
Malet e Dibrës o mor m'i kanë ngrijë-je

He-heej
N'malet e Dibrës o kanë metë-o te tanë-e
Nuk janë pak-o mor por dymëdhetë mijë-je
Nuk janë pak-o mor por dymëdhetë mijë-je