Jericho – Nëntor i ftohtë

A ka një kujtim të më ngrohë në këtë ditë për mua?
A ka ndonjë udhë e si burrë ta kthej kokën t'shikoj?
A ka një kujtim, të na jepë një kuptim, a s'më thua?
A më tregoni, ku ta gjej forcën sot të këndoj?

Akoma të freskët e kam atë shikim të përbuzjes
Akoma të freskët të ftohtin e dhimbjes në asht
Akoma të freskëta edhe gjurmët që këmbët i lanë rrugës
Syri më mbeti i ngrirë në shtëpinë që më kurrë nuk e pashë

Nëntori i ftohtë
Më ndjek dhe sot
Nëntori i ftohtë
Jehon në mot

Kaluam një shekull në ecje por prapë u rrëzuam
Kaluam një shekull por prapë s'mund të qëndrojmë në këmbë
Kaluam një shekull mësim, e si asgjë s'mësuam
O i paditur, syri i pangopur një popull e shemb

Sa gjatë do të shkojë derisa do ta duam vetveten?
Sa gjatë do të shkojë derisa fatin vetë ta ndryshojmë?
Sa gjatë do të shkojë derisa tjetrit t'ia çmojmë jetën?
A na tregoni, ku ta gjejmë forcën sot të këndojmë?

Nëntori i ftohtë
Më ndjek dhe sot
Nëntori i ftohtë
Jehon në mot

Më shanë e më ranë, "i pabesë do të bëhesh" më thanë
Më zhveshën e veshën, as veten s'e njoh më kush jam
Vellon që ma kanë qepur, sa krenar sot e mbaj
Valles që ia kam hedhur, sikur një nuse sa bukur hapin që e mbaj